Shqipëria po “tretet”, duke shënuar rënie të moshës së re të popullatës dhe të lindjeve, gjithashtu. Vdekjet janë të larta dhe ka madje qarqe ku numri i personave që largohen nga jeta është më i lartë se numri i atyre që vijnë në jetë. INSTAT ka përgatitur një raport në lidhje me numrin e lindjeve dhe të vdekjeve për periudha të caktuara, që paraqitet si më poshtë.
Raporti i plotë i INSTAT:
Tremujori 2 2018
Tiranë, më 14 Gusht 2018: Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 4.823, duke shënuar një rënie prej 2,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.
Gjatë tremujorit të dytë 2018, numri i lindjeve tejkaloi me 769 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018, pasqyron një rënie me 69,9 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Në tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 763 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në pesë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 164 numrin e lindjeve.
Lindjet
Numri i lindjeve, për tremujorin e dytë, 2018 rezulton 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2018, regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 87 lindje, me një rënie prej 22,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 1.851 lindje, të cilat shënojnë rënie me 22,2 % në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Të gjitha qarqet pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2018, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Beratit me 36,5 % dhe qarku i Vlorës me 33,6 %.
Vdekjet
Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 4.823, duke shënuar një rënie prej 2,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.088 vdekje, me një rënie prej 3,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 124 vdekje, me një rënie prej 5,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Gjatë tremujorit të dytë 2018, vetëm tre qarqe pësuan rritje, ndërsa tetë qarqe pësuan rënie të numrit të vdekjeve, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Rënien më të madhe të numrit të vdekjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Gjirokastrës me 19,9 %. Lindjet
Të dhënat e lindjeve
Të dhënat e lindjeve sipas gjinisë sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri. Konsiderohen të gjitha lindjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh lindjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve) edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre.
Regjistrimet e vona të lindjeve
Kryhet një rregullim i vogël i numrit të lindjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha lindjet e ndodhura në periudhën referencë. Numri i lindjeve të regjistruara vonë në vitin e mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave tona të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të lindjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.
Vdekjet
Të dhënat e vdekjeve
Të dhënat e vdekjeve sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile sipas karakteristikave bazë demografike. Konsiderohen të gjitha vdekjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh vdekjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve) edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre.
Regjistrimet e vona të vdekjeve
Bëjmë një rregullim të vogël të numrit të vdekjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha vdekjet e ndodhura në periudhën referencë. Numri i vdekjeve të regjistruara vonë në vitin e mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave tona të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të vdekjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.