Më 24 mars, mbështetësit e katër partive parlamentare të opozitës së djathtë bllokuan trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Lëvizja Dveri, Zavetnici (Të betuarit), Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për atë që ata e quajtën “tradhti” dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pjesëmarrësit e tubimit mbanin pankartat “Jo kapitullimit” dhe “Vuçiq dorëheqje”, ndërkaq disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën Z, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.
Në protestë ishte edhe Radomir Poçuça, i cili si mercenar nga Serbia, në vitin 2014, luftoi me separatistët pro-rusë në Ukrainë.
Në vitin 2016, Poçuça lidhi marrëveshje me Gjykatën e Lartë në Beograd dhe u dënua me një vit e gjysmë burg, si dhe pesë vjet me kusht.
Sot ai është anëtar i partisë së djathtë parlamentare Zavetnici.
Lëvizja Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë njoftuan në protestë se edhe në qytete të tjera “nëpër Serbi” kanë organizuar tubime dhe “bllokim” të selive të institucioneve.
“Nëse nuk ka revokim të pranimit të ultimatumit të ri perëndimor, atëherë zgjidhja e vetme është dorëheqja e presidentit të Republikës dhe e Qeverisë së Serbisë, si dhe të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet”, tha udhëheqësi i lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviq, në një fjalim para gazetarëve, gjatë protestës para Qeverisë në Beograd.
Ai ka paralajmëruar edhe paraqitjen e kallëzimit penal kundër presidentit të Serbisë për, siç ka thënë, “veprën penale të njohjes së okupimit dhe rrënimit të rendit kushtetues” dhe se gjithashtu do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.
Protesta në qendër të Beogradit, me moton “Jo kapitullimit”, filloi në orën 12 e 44 minuta, si aludim për Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme, në vitin 1999./rel