Promotori i njohur i boksit, Eddie Hearn është i gatshëm që ngjarjet e tij të mëdha t’i bartë nga Britania e Madhe për në vendet tjera.
Hearn ka pësuar humbje të mëdha financiare prej kur Bordi i Kontrollit të Boksit Britanik ka ndaluar përballjet për të mbrojtur shëndetin e boksierëve dhe tifozëve. Nga vendimi janë prekur meçe të rëndësishme të emrave të njohur si Anthony Joshua, Dillian White e Dereck Chisora, ka shkruar The Sun.
Whyte, sfiduesi numër një në versionin WBC, është dashur të takohet me Alexander Povetknin më 2 maj në Manchester. Chisora është dashur të ketë meç me Oleksandr Usyk më 23 maj, ndërsa Anthony Joshua e Kubrat Pulev është dashur të përballen më 20 qershor në stadiumin e Tottenhamit.
Të tri meçet do të mirëpriten në SHBA apo Arabi Saudite, ku është mbajtur meçi i Joshuas me Andy Ruiz Jr, në dhjetor. Sipas The Sun, nëse në SHBA apo Arabi Saudite kalon më herët pandemia e koronavirusit, atëherë zhvendosja e luftërave të mëdha është e mundur.
Hearn është i hapur për të organizuar mbrëmjet e mëdha në vendet tjera.
“Është dashur të organizoj një shfaqej në Arabinë Saudite në javën e parë të korrikut. Por ajo ka pak gjasë të mbahet. Mendoj se në çdo vend do të jetë ndryshe. Nuk mendoj se të gjitha qeveritë e botës do të bashkohen dhe do të thonë diçka si: nga 1 korriku sporti në gjithë botën lejohet”, ka thënë Hearn.
Ai është i bindur se disa ngjarje sportive do të nisin shumë më herët në disa vende. Ai pret që Arabia Saudite të jetë prej vendeve të para që do të lejojë ngjarjet sportive.
“Ne duhet të mbajmë këto luftëra diku, pavarësisht nëse janë luftëra për tituj të Britanisë, luftëra të boksierëve perspektiv, për tituj të botës apo luftëra që sjellin shumë të ardhura nga televizioni me pagesë. Do të ishte ideale që luftërat të mbahen aty ku kemi planifikuar, por nuk do të përjashtoja mundësinë që luftërat më të mëdha të mbahen në vende tjera”, ka thënë Hearn.