Në ditën e parë të plotë të Lojërave Olimpike Verore në Rio-de-Zhanejro janë arritur rekorde të reja botërore në not. Vietnami e ka fituar medaljen e tij të parë olimpike, ndërsa për shkak të sigurisë janë parë rreshta të gjatë të shikuesve.
Pjesa më e madhe e të arriturave të jashtëzakonshme sportive në ditën e parë olimpike është parë në disiplinën e notit.
Australia ka arritur rekord të ri botëror në stafetën 4×100 metra me stil të lirë në kategorinë e femrave, ndërsa merita të mëdha për këtë sukses kanë motrat Bronte dhe Cate Campbell. Stafeta e Australisë ia doli ta mbrojë medaljen e artë të fituar në Lojërat Olimpike në vitin 2012, me rezultat që është më i mirë se rekordi i tyre botëror i arritur në vitin 2014. Koha e rekordit të ri botëror është 3 minuta e 30.65 sekonda.
Hungarezja Katinka Hosszy e ka fituar medaljen e artë në not me stil të përzier në 400 metra, me rekord të ri botëror prej 4 minutash dhe 26.36 sekonda, duke e përmirësuar rekordin e vjetër për më tepër se dy sekonda.
Përfundimisht, britaniku, Adam Peaty, që për të parën herë merr pjesë në olimpiadë, e ka fituar medalejn e artë duke arritur rekord të ri botëror në disiplinën e notimit me stil me gjoks në100 metra, me kohë 57.55 sekonda.
Medalja e pritur 60 vjet
Vietnami me entuziazëm të madh e ka pritur rezultatin e sportistit 41 vjeçar, Hoang Xuan Vinh, i cili në garat e qitjes me revole ajrore në distancë 10 metra, në konkurrencën e meshkujve, e fitoi medaljen e artë. Kjo është medalja e parë e artë në 60 vitet e fundit për Vietnamin.
Ky person, që është kolonel i ushtrisë, që së pari kishte mësuar të qesë me armë automatike të tipit AK-47, ka triumfuar me pothuajse qitje perfekte finale.
Në stadiumet e basketbollit, kombëtarja e Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet favorite e madhe në kategorinë e meshkujve, e mundi Kinën me rezultat bindës 119:62. Kjo është fitorja me diferencën më të madhe në garat basketbolliste,prej vitit 1996.
Në tenisin e femrave, amerikania Venus Williams ka humbur në xhiron e parë kundër tenistes nga Belgjika, Kirsten Flipkens, me rezultat 1:2 në seta. Kjo është disfata e saj e parë në xhiron e parë në pesë olimpiadat ku është paraqitur në garat individuale.
Në ditën e parë të garave olimpike ka pasur edhe gjëra të papritura dhe dëshpëruese.
Dëshpërimet dhe pritjet e gjata
Simpatizuesit ishin të tmerruar kur gjimnasti francez, Samir Ait Said, gjatë kërcimit e theu këmbën e majtë. Gjimnasti gjerman, Andreas Toba, u tërhoq nga garat pas lëndimit të ligamenteve në këmbën e djathtë.
Gjatë ditës së parë të Lojërave Olimpike në Rio-de-Zhanejro në Brazil, organizuesit kanë kërkuar falje për mbajtjen e shikuesve në pritje në rreshta të gjatë në kontrollet e sigurisë, për hyrje në terrenet sportive.
Në disa gara, sportistët pothuajse ishin të vetmuar, pasi shikuesit pritnin në rreshta të gjatë në temperatura që ishin mbi 30 gradë Celsius.
“Na vjen keq për secilin që po qëndron jashtë garave”, ka thënë zëdhënësi i lojërave, Mario Andrada, dhe ka shtuar se “brenda disa orëve ne do të jemi në situatë më të mirë”.
Incidentet e sigurisë
Por, disa incidente i kanë theksuar shqetësimet për siguri, që ishin paraqitur para fillimit të garave. Një ekip i specializuar për bomba ka kryer eksplodim të kontrolluar të një valixheje të pashoqëruar afër linjës së finishit në shtegun e garave çikliste të meshkujve. Garuesit ishin 70 kilometra larg në atë kohë, kështu që mund të konstatohet se incidenti nuk ka pasur ndikim në këtë garë.
Një plumb i “humbur” e ka goditur press qendrën e garave të hipizmit. Autoritetet olimpike kanë dhënë sigurime se ishte rastësi dhe se garat nuk ishin cak i plumbit.
Vendi mikpritës i Olimpiadës Verore, Brazili, e ka fituar medaljen e parë të argjendtë, pasi qitësi, Felipe Wu, e zuri vendin e dytë në qitje 10-metërshe me pushkë në kategorinë e meshkujve.
Qitësja amerikane, Virginia Thrasher, 19 vjeçare, e fitoi medaljen e parë të artë në lojërat e sivjetme në disiplinën e qitjes në 10 metra, me armë automatike për femra.
Beslan Mudranov i Rusisë e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë në xhudo për meshkuj. Pas triumfit ai deklaroi.
“Sinqerisht, ende nuk e di se çka po ndodhë. E kuptoj se jam fitues i lojërave olimpike. Por, nuk mund ta shpjegoj këtë ndjenjë”, tha Mudranov.
Më se 100 sportistë të Rusisë nuk janë lejuar të garojnë në Brazil, për shkak të dopingut të sponsorizuar nga shteti. (REL)