E përditshmja shtetërore kineze, China Daily ka thënë më 9 shtator se territori gjysmë-autonom i Hong Kongut është pjesë e pandashme e Kinës dhe ka fajësuar sërish “forcat e huaja” për nxitje të pakënaqësive, teksa protestat kanë vazhduar për të 14-ën javë me radhë.
“Hong Kongu është pjesë e pandashme e Kinës dhe kjo është linja që nuk duhet ta sfidojë askush, as protestuesit, as forcat e huaja që po luajnë lojëra të ndyra”, ka thënë China Daily në shkrimin e saj editorial.
Secila formë e shkëputjes “do të shtypet”, është thënë në shkrim, pasi më 8 shtator protestuesit në Hong Kong janë nisur afër konsulltatës amerikane duke kërkuar që Pekinit t’i bëhet presion ndërkombëtar.
Në shkrimin e gazetës, protestuesit janë paralajmëruar që “të mos sfidojnë durimin e qeverisë qendrore” në Kinë.
Protestat në Hong Kong kanë nisur më 9 qershor, pas propozimit të një projektligji për ekstradim, që do të mundësonte dërgimin e të dyshuarve për në Kinë.
Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam ka hedhur poshtë projektligjin javën e kaluar, mirëpo lëvizja protestuese tani kërkon dorëheqjen e saj, lirimin e protestuesve të ndaluar dhe reforma zgjedhore që i ka penguar vazhdimisht Pekini.
Ndonëse marshet në përgjithësi kanë qenë paqësore përgjatë tre muajve, dhuna ka shpërthyer me raste në mes të policisë dhe protestuesve, duke rezultuar me më shumë se 1,000 persona të ndaluar.