Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, pak minuta më parë ka shkruar në Twitter se gjenerali serb, Ratko Mlladiq ka ndërruar jetë në qelinë e burgut.
Këtë informatë e kanë publikuar të gjitha mediat në rajon duke u thirrur në lajmin e publikuar në Twitter nga ministrja e Bosnjës, llogari kjo që doli të jetë “fake” në këtë rrjet social.
Ajo madje kishte shkruar se këtë informacion ia kishin kumtuar zyrtarë të lartë të Tribunalit të Hagës në Holandë.
Megjithatë informacionin për vdekjen e tij e kanë demantuar zyrtarë të Tribunalit të Hagës, më saktësisht zëdhënësja Helena Eglston e cila tha për median serbe N1, se asgjë nuk ka të vërtetë.
“Informacionet për vdekjen e Ratko Mlladiqit nuk janë të vërteta dhe i demantojmë”, ka shtuar Eglston.
Ndërkaq e pyetur për gjendjen shëndetësore të gjeneralit serb, ajo ka thënë se gjendjen shëndetësore të burgosurit nuk e komentojnë.
Informacionet për vdekjen e Mlladiqit për N1 i ka demantuar, i biri i tij Darko Mlladiq.
“Sigurisht se do ta mësoja i pari që më ka vdekur babai”, ka shtuar ai.