Vizita e emisarëve Gabriel Escobar dhe Mirsolav Lajçak në Kosovë është bërë lajm edhe në mediat e huaja. Mediume prestigjioze si “Reuters” dhe “Washington Post” raportojnë se diplomatët e huaj i kërkuan Kosovës që ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë për tre ditë rresht, vizitë kjo që kishte të bëjë me përfundimin e dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshje finale.
Vizita e tyre është raportuar edhe nga mediat e njohura, të cilat shkruajnë se Escobar e Lajçak kërkuan që të implementohet marrëveshja për komunat me shumicë serbe.
“Washington Post” e “Reuters” shkruajnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, duke thënë se ajo minon sovranitetin e vendit, dhe u jep autonomi të gjerë serbëve që përbëjnë pesë për qind të popullsisë.
Kjo deklaratë e Kurtit ka ardhur pikërisht pas bisedimeve me përfaqësuesin amerikan, Gabriel Escobar dhe atë evropian, Mirsollav Lajçak, përcjell Demokracia.com.
Këto media potencojnë faktin se Escobar ka bërë thirrje që marrëveshja për komunat serbe të zbatohet, duke thënë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të garantuara.
Sa i përket Lajçak, ky i fundit u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të mos frikësohen.
“Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë”, ka deklaruar Lajçak.
Dy diplomatët e lartë perëndimorë nga sot do të qëndrojnë për vizitë në Serbi, ku edhe atje çështje kryesore që do të bisedohet, pritet të jetë dialogu mes dy vendeve.
Nuk dihet se kur do të mbahet takimi mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, pas këtyre vizitave. Ndërkaq, takimi i fundit mes tyre është zhvilluar në korrik të vitit që lamë pasë.