Mediat në Serbi e kanë paraqitur ngjarjen e djeshme të arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, si “shpallje lufte” nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Koha.net.
Gazeta “Alo”, në ballinë të numrit të sotëm, shkruan: “Dramë në veri të Kosovës: Thaçi na shpalli luftë”.
“Informer” shkruan: “Dhunë e tmerrshme shiptare në krahinën jugore: E arrestuan Gjuriqin, paralajmërohet luftë në Kosovë”.
“Sulm nga Prishtina: Shqiptarët sulmuan në veri të Kosovës”, është titulli i “Novostit”.
“Blici” ndërkaq shkruan: “Njësia Speciale ROSU arreston Gjuriqin, tensione në Kosovë”.
“Sulm nga ROSU në veri të Kosovës” është titulli i “Politika”.
E “Srpski Telegraf” shkruan thjeshtë: “Specialët shqiptarë arrestuan Gjuriqin: Me shok-bomba sulmuan serbët”.
E përditshmja tjetër serbe “Danas” shkruan: “Me vendimin e autoriteteve të Kosovës që të mos lejojnë hyrjen e asnjë prej ministrave përkeqësohen raportet mes Beogradit dhe Prishtinës: Rriten tensionet në Mitrovicë, arrestohet Marko Gjuriq”.
“Dnevnik” shkruan: “Presidenti Vuçiq mbrëmë thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicë: Shok-bomba, gaz lotsjellës dhe tyta të gjata ndaj serbëve”.
Kujtojmë se Gjuriq u arrestua dje pas orës 17 në Mitrovicë derisa i njëjti po zhvillonte një tubim në kuadër të dialogut për Kosovën, iniciativë kjo e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Atij, së bashku me një grup tjetër politikanësh serbë, u ishte refuzuar kërkesa për hyrje në Kosovë.