Mediat gjermane: Rruga përmes Serbisë, është rruga kryesore e emigrantëve që ikin drejt BE-së

Prishtinë | 27 Nën 2023 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Emigrantët përsëri kalojnë përmes rrugës ballkanike më shpejt – sepse çështja kontrollohet nga bandat e mirëorganizuara të kontrabandës që dominojnë veriun e Serbisë, shkruan gazeta gjermane Welt.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Feser po viziton këtë të hënë Reske, një qytet kufitar përballë Horgos, me ftesë të koleges së saj hungareze, transmeton Deutsche Welle.

Të ardhur nga rruga “brutale” ballkanike, emigrantët anashkalojnë pa problem gardhin me tela hungareze, shkruan e përditshmja Welt.

“Rruga përmes ish-Jugosllavisë është rruga kryesore në rrugën drejt BE-së. Prej vitesh numri i kalimeve të parregullta kufitare ka ardhur duke u rritur. Shumica e emigrantëve duan të shkojnë në Gjermani”, shkruan gazeta konservatore.

“Serbia është një qendër”, shkruan gazeta, duke kujtuar se Beogradi, pas presionit të Brukselit, hoqi regjimin pa viza me Burundin, Kubën, Tunizinë dhe Indinë, në mënyrë që qytetarët e këtyre vendeve të mos hynin më ilegalisht në BE përmes Serbisë.

“Njerëzit nga Turqia ende mund të udhëtojnë në Serbi pa vizë. Qytetarët turq kanë qenë grupi më i madh i azilkërkuesve në Gjermani kohët e fundit”, shkruan Welt.

“Në vitet e fundit, përqendrimi më i lartë i emigrantëve është regjistruar në Serbi”, thotë Laura Lungarotti, koordinatore për Ballkanin Perëndimor nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së.

Sipas saj, më parë emigrantët kanë ngecur në Ballkanin Perëndimor mesatarisht tre muaj, sot qëndrojnë atje mesatarisht vetëm shtatë ditë.

“Kjo tregon se shumica e udhëtimeve janë të organizuara jashtëzakonisht mirë, me shumë gjasa nga tregtarët dhe kontrabandistët e skllevërve të bardhë”, pohon Lungarotti.

“Welt” shkruan se në veri të Serbisë janë vendosur bandat e kontrabandës, për të cilat shërbimet gjermane të sigurisë kanë informacione. Mijëra emigrantë janë duke kampuar në këtë zonë, duke shpresuar të kalojnë kufirin për në Hungari. Disa bëjnë një devijim përmes Rumanisë”.

Gazeta përshkruan se praktikisht askush nuk lejohet të aplikojë për azil në Hungari, kjo është arsyeja pse Brukseli filloi procedurat kundër Budapestit.

“Kryeministri Orbán po propagandon historinë se BE-ja po inkurajon migrimin me politikën e saj të vakët dhe se vetëm ai kujdeset për rendin në Evropë”, shkruan Welt.

“Nga ana tjetër, këtë vit 1468 kontrabandistë u liruan nga paraburgimi hungarez, gjoja për shkak të mbipopullimit të burgjeve”. Me vetëm një kusht, që autorët të largohen nga vendi brenda 72 orëve”, shkruan Welt.

Gazeta thekson se emigrantët rrezikojnë shumë në rrugën ballkanike, se të miturit përshkruajnë keqtrajtime nga policia, goditje elektrike, rrahje, si dhe abuzime seksuale nga kontrabandistët.

“Shumë njerëz u drejtohen kontrabandistëve sepse fatkeqësisht nuk ka rrugë të mjaftueshme ligjore për të shkuar në Evropë,” thotë Lungarotti. Ai shton se gardhet kufitare nuk e zgjidhin problemin, por përkundrazi i lënë njerëzit në duart e kontrabandistëve.

Të ngjashme