Ditëve të fundit, zbulimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Zubin Potok ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Al Jazeera, duke cituar AFP dhe Anadolu, raporton se autoritetet në Kosovë kanë identifikuar një lokacion të tretë të mundshëm të një varreze masive, ndërsa hetimet për krimet e dyshuara të luftës së viteve 1998-1999 po vazhdojnë.
“Pas zbulimit të mbetjeve mortore në lokacionin e dytë të hënën, autoritetet thanë të martën se po shqyrtojnë nisjen e gërmimeve në një lokacion të tretë”, shkruan Al Jazeera.
Për zhvillimet kanë raportuar edhe mediat italiane.
Agjencia e lajmeve ANSA shkruan se të dielën “mbetjet e së paku katër personave, që besohet se janë viktima të luftës së Kosovës të viteve 1998-1999, janë gjetur në një varrezë masive në lokacionin Jabukë, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës”.
Ndërkaq, Euronews Italia thekson se vëmendja e hetuesve është përqendruar te fati i të ashtuquajturit “grupi i intelektualëve”, i përbërë nga 23 civilë shqiptarë nga Mitrovica.
“Sipas rindërtimit të autoriteteve të Kosovës, grupi u rrëmbye më 19 prill 1999, gjatë luftës, ndërsa po udhëtonte me autobus drejt Malit të Zi. Burrat u nxorën me forcë nga autobusi, u morën dhe më pas u vranë”, shkruan Euronews Italia.