Presidenti i ShBA, Donald Trump ka shkaktuar zemërim te gazetarët, me një video të manipuluar dhe të postuar prej tij, në të cilën ai duket që godet me grushte logon e stacionit televiziv CNN. Edhe vetë radiostacioni dhe disa medie të mëdha të tjera si “Washington Post” e dënuan videon si thirrje për dhunë.
“E trishtueshme, po jo nën dinjitetin e këtij Presidenti”
Organizata amerikane “Reporters Committee for Freedom of the Press” (“Komiteti i reporterëve për lirinë e shtypit”) deklaroi: “Ky tweet është nën dinjitetin e postit të Presidentit. Por është e trishtueshme, që nuk është nën dinjitetin e këtij Presidenti. Askush nuk duhet të kërcënohet me dhunë për shkak të punës që kryen (…). Liria e shtypit është një piketë e demokracisë sonë.”