Mediat shqiptare: “Kobra” dyshohet për vrasjen në lokalin e tij në Prizren

Prishtinë | 03 Jan 2023 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një natë më parë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.

R.V nga Kukësi ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa ka mbetur i plagosur një person tjetër, tashmë jashtë rrezikut për jetë, shkruan Reporteri.net.

Policia e Kosovës ka konfirmuar tashmë se ngjarja ka ndodhur në lokalin “Cobra City”.

“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”, thanë nga Policia e Kosovës.

Sipas mediave në Shqipëri konflikti nisi për motive të dobëta në një lokal, ku tre të rinjtë nga Kukësi janë konfliktuar me një kosovar me grushte dhe sende te forta. Pasi janë konfliktuar, ata janë nisur drejt Kukësit me një mjet që drejtohej nga A.B

Policia dyshon se drejt tyre ka qëlluar pronari i lokalit të natës teksa ata po largoheshin me automjet në drejtim të Kukësit.

Po sipas këtyre raportimeve, të rinjtë nga Kukësi akuzojnë Dibran Hoxhajn si autor të ngjarjes së rëndë.

Hoxhaj i njohur si Kobra është person që është përballur disa herë me drejtësinë.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të ngjashme