Mediat turke publikojnë mesazhin e miqësisë: Viti 1999 nuk harrohet para ndeshjes Kosovë-Turqi

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Mediat sportive turke kanë raportuar se në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë në Prishtinë, është shfaqur një mesazh simbolik miqësie në një kafene të kryeqytetit.

Mediumi AjanSpor, ka treguar sesi në një kafenr në Prishtinë janë vendosur së bashku flamujt e Kosovës dhe Turqisë, ndërsa në një baner në gjuhën angleze dhe turke shkruhej: “Sot jemi rivalë, por gjithmonë miq! Kafe dhe çaj falas për të gjithë tifozët turk. Në vitin 1999 ju keni paguar – sot nuk keni asnjë borxh”.

Ky mesazh është interpretuar si referencë historike ndaj rolit të Turqisë në Kosovë pas vitit 1999, kur forcat e NATO-s, përfshirë edhe kontingjentin turk, u vendosën në vend dhe kontribuuan në siguri dhe stabilitet.

Në raportim përmendet se ky gjest i kafenesë në Prishtinë synon të theksojë miqësinë dhe lidhjet mes dy popujve, përtej rivalitetit sportiv në fushë.

Megjithatë, media turke thekson edhe se para ndeshjes janë raportuar tensione, pasi pranë hotelit të ekipit turk janë ndezur fishekzjarrë gjatë natës, duke rritur masat e sigurisë.

Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe është vendimtare për kualifikimet drejt Kupës së Botës 2026.

Të ngjashme