Mediat u keqpërdorën nga grupet terroriste, udhëzohen si të raportojnë me terminologji adekuate

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 10:59 | Nga Mehemt Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizatat terroriste në mënyrë të suksesshme kanë përdorur mediat në gjithë botën për të shpërndarë informacionet e për të bërë thirrje për t’iu bashkuar atyre, raporton Ekonomia Online.

Mediat vendore sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ballafaqohen me shumë sfida që kanë të bëjnë me raportimin për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, çoftë me financa të vogla apo mungesën e gazetarëve të profilizuar.

Me kalimin e kohës mediet ndërkombëtare e vendore e kanë parë se cili është qëllimi i këtyre organizatave, prandaj edhe gjithnjë e më pak prezantohet këto aktivitetet.

QKSS për këtë arsye ka lansuar doracaku “Ekstremizmi i Dhunshëm dhe Mediat- Doracak për gazetarët”, në përmbyllëse të projektit: “Luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit nëpërmjet komunikimit”.

Kjo me qëllim që të ofrojë rekomandime rreth mënyrës së raportimit të rasteve të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nga mediat, si dhe të shpjegojë terminologji të ndryshme religjioze dhe mënyrën më të mirë  të përdorimit të tyre, raporton Ekonomia Online.

Skender Perteshi nga QKSS, tha se doracaku trajton 50 terminologji, pastaj janë analizuar videot e transmetuar e mënyra e raportimit.

Ai shtoi se pjesë e raportit janë aktivitetet kryesore të institucioneve, arrestimet që kanë ndodhur deri te  parandalimi i sulmeve.

“Doracaku është 30 faqe dhe trajton 50 terminologji. Janë analizuar videot që i kanë lëshuar ato, mënyra qysh e kanë shpërndarë mesazhin. Jemi mundu me ndërtua një kundër mesazh për mënyrën qysh kanë raportuar”.

“Në fund janë disa praktika se si mediet botërore i kanë transmetuar videot e ISIS-it. Me mënyrën e raportimit që e kanë bërë kanë reduktuar hapësirën e tyre në media. E kanë kuptuar që qëllimi i organizatave ka qenë që sa më shumë të jenë në media, por këto e kanë ndryshuar mënyrën e raportimit”.

“Baza ligjore në doracak është vendos që mediat ta kenë më të lehtë të gjendet baza ligjore. Pjesë e raportit janë aktivitetet kryesore të institucioneve, arrestimet që kanë ndodhur dhe qoftë mbyllja e OJQ-ve, qoftë parandalimi i sulmeve”.

Ai ka sqaruar për terminologji të ndryshme religjioze dhe mënyrën më të mirë  të përdorimit të tyre, sidomos fjalës “xhihad”.

“Përmes fjalës xhihad ISIS ka tentuar me legjitimuar në mënyrë false. Kemi tentuar me tregu çka nënkupton fjala xhihad në aspektin e religjionit. Kemi rekomandua që të përdoret shumë pak ose fare. Nëse përdoret të tregohet saktë. Kjo fjalë ka shumë kuptime”.

Richard Mei nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë, tha se roli i mediave kundër ekstremizmit është shumë i rëndësishëm.

Ai shtoi se duhet të punohet jo vetëm në luftimin e ekstremizmit, por edhe në parandalimin e tij, raporton EO.

“Liria e shtypit është thelbësore për çdo vend demokratik. Duhet të punojmë jo vetëm për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, por edhe për të parandaluar atë. Mediet si burim i besueshëm janë mënyra për tu marrë më këtë çështje. Mediat luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të trajtuar ekstremizmin”.

“Përvoja e gazetarëve u ndihmojnë komunitetit të ndihmojmë të kuptojnë radikalizmin. Ju jeni thelbësor në këtë. Ne jemi partneri juaj, ku është problem që prek edhe Shtetet e Bashkuara andaj shpresoj që të vazhdojmë bashkëpunimin”.

Garentina Kraja, nga QKSS tha se mediat duhet të distancohen dhe të kontekstualizojnë propagandën e grupeve terroriste.

“Të distancohemi dhe ta kontektualizojmë propagandën e tyre. Është përpjekje e jona që ky kontekstualizim të sillet në vëmendje të publikut”.

Deputeti Rexhep Selimi, anëtar i komisionit parlamentar për Siguri tha se ky doracak është ndihmesë e madhe për mediat.

Ai deklaroi se mediet dhe institucionet kanë qenë në presion kur bëhet fjalë për grupet ekstremiste.

“Media ka qenë në presion të dy anshëm. Pa dashur të bëjë digresion nganjëherë edhe mediat edhe institucione kanë qenë ne presion kur bëhet fjalë për grupet ekstremiste”.

Selimi ka thënë se presioni i mediave ka bërë që institucionet të tërhiqnin Ligjin që rregullonte zhurmat publike, ku përmendej edhe ezani.

Ai tutje ka shtuar se partitë politike duhet të jenë më të drejtpërdrejta dhe ti thonë gjërat ashtu siç janë, sipas tij kështu i ndihmojnë edhe mediat.

“Në legjislaturën e katërt ose të pestën ka qenë një ligj që rregullon zhurmat publike. Ky presion përmes medias ka bërë që institucionet te bëjnë një hap prapa, besoni kemi qenë në presion”.

“Edhe partitë politike duhet të bëjnë një hap tjetër, dihet të kenë pak më shumë kuraje t’i themi gjerët në publik ashtu siç i themi në tavolinë. Edhe partitë mund të bëjnë më shumë në thënën e gjerave ashtu siç janë, kështu e ndihmojmë edhe median. Mesazhi nga institucionet duhet të jetë më i drejtpërdrejtë”.

Deputeti Nuredin Ibishi, tha se mediet duhet të fokusohen në aktivitete parandaluese dhe masa tjera vetdijesuesee për të penguar pjesëmarrjen në aktivitetet terroriste, raporton Ekonomia Online.

“Mediet  duhet të përqendrohen në aktivitete reale. T’i paraqesin heronj si rasti i Lavdrim Muhaxherit. më shumë mediet të fokusohen ne aktivitetet në parandalim dhe masat tjerë vetdijesuese për pengimin e pjesëmarrjes në këto aktivitete”.

Të ngjashme