Në kuadër të Tetorit Gjerman 2016 në Tiranë u zhvillua një diskutim publik mbi shkaqet dhe pasojat e zhvillimit të vrullshëm teknologjik në epokën digjitale, si përballja me mediat sociale.
E veçanta e kalendarit të aktiviteteve që zhvillohen Tetorin Gjerman është përshtatja e tyre me shijet dhe kërkesat e publikut, por dhe provokimi me debate nga tema të aktualitetit shoqëror. I tillë ishte dhe diskutimi mbi shkaqet dhe pasojat e transformimit digjital, ku e ftuar ishte dhe studiuesja gjermane Sabria David, bashkëthemeluese dhe drejtuese e Institutit “Slow Media”.
E ftuar nga Qendra e Gjuhës Gjermane Goethe në Tiranë, David dhe studiues e ekspertë të fushës u ballafaquan me zhvillimet globale, duke u fokusuar tek realiteti në Gjermani dhe Shqipëri, bazuar jo thjesht në perceptime dhe ide intuitive, por në tregues të shqyrtimeve analitike mbi sjelljet e publikut në kushtet e asaj që njihet si online-zimi social.
Në një kohë kur rreth 3 miliardë njerëz në glob kanë akses në internet, pavarësisht se ka rajone të tilla ku ka probleme me furnizimin me energji elektrike apo nevoja të tjera bazike për jetën, bota reale dhe ajo virtuale janë më të ndërvarura se kurrë nga njëra-tjetra. Një proces që jep efekte tek secili nga ne duke ngritur çështje, përgjigjet për të cilat janë ende të mjegullta: çfarë ndodh me njerëzit në kushtet e ofertës marramendëse të teknologjisë së re, si ndryshon sjellja e tyre, sa ata arrijnë të përvetësojnë manualet e përdorimit, avantazhet dhe disavantazhet e infrastrukturës digjitale, raportet e individit me shoqërinë etj.
Këtu angazhohet “Slow Media”, që sipas Sabria David, është si një manifest i përkthyer në shumë gjuhë të botës: një qasje për të shpjeguar dhe analizuar sfidat e transformimit teknologjik. Slow nuk ka kuptimin e drejtpërdrejtë nga anglishtja e ngadaltë, por do të thotë e fuqishme, inteligjente, mendje e hapur, racionale, emocionale e qëndrueshme.
Kur mediatizimi i tepërm kthehet në absurd
“Një nga pasojat e transformimit digjital është cënimi i prirjes njerëzore për t’u fokusuar në një gjë. Në fluksin e madh të mesazheve në botën virtuale përqendrimi ‘thërmohet’ në shumë ide që vijnë nga të gjitha anët. Një nga sfidat e mëdha mbetet nevoja që të filtrohet sa më shumë informacioni që marrim. Tashmë publiku nuk ushqehet me informacion vetëm përmes medias”, thotë Sabria David.
Është ky koncepti i pranuar nga ekspertët e medias dhe komunikimit, se monopoli i redaksive ka rënë. Hapësira e rrjeteve sociale, ku vetë publiku është protagonist, është rritur progresivisht. Prodhuesit e konsumatorët e informacionit shpesh janë pa vijën ndarëse. Shpjegime dhe të dhëna për atë që ndodh afër dhe larg nesh përmes hapësirës virtuale mund të japë kushdo. Kjo ka ridimensuar rolin dhe performancën e mediave klasike, të cilat më shumë janë të orientuara tek pjesa e thelluar e zhvillimeve, tek analiza a ekspertiza.
Sabria David nënvizon se mediat sociale krijojnë lidhje mes njerëzve, në disa shtresa. Facebok-u, Twiter-i, Instagram-i janë të suksesshëm sepse ndërtojnë ura komunikuese mes përdoruesve duke injoruar distancën, sado të jetë ajo. Thjesht mjafton aksesi në internet.
“Në këtë kuptim ato krijojnë afrimitet. Por nga ana tjetër, të gjitha mjetet teknologjike që janë krijuar për lehtësi lidhjeje dhe komunikimi me njeri-tjetrin, në fakt ne po na ndajnë. Unë nuk e di si është në Shqipëri, por në stacionet e trenit në Gjermani për shembull, jemi si në absurd: ata që duan të udhëtojnë shikojnë në celularët e tyre kur duan të komunikojnë a të marrin ndonjë informacion, megjithëse ka shumë të tjerë aty rrotull, që bëjnë po të njëjtën gjë, duke ‘rrëmuar’ në smartphone-t e tyre. Kjo arrin deri dhe brenda në familje ku pjesëtarët e saj kanë më kollaj të merren me telefonat se sa me njeri-tjetrin, edhe kur janë në një dhomë. Pra në situata të caktuara mediatizimi i tepërm kthehet në abusurd”.
“Mbytja” e audiencës në morinë e pafund të informacionit
Dr. Rrapo Zguri, pedagog i mediave të reja dhe i gazetarisë online në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës thotë se aktualisht në Shqipëri aksesi në internet ka arritur në rreth 65 % të popullsisë, një shifër kjo e përafërt me shumë vende të Europës Perëndimore. Por krahas rritjes së shpejtë të aksesit, është shënuar edhe një rritje e problemeve që e shoqërojnë këtë proces, thotë për Deustche Welle-n, dr. Zguri.
“Ndër problemet kryesore mund të veçojmë info-obezitetin dhe rrezikun e ‘mbytjes’ së audiencës në morinë e pafund të informacionit, mungesën e besueshmërisë dhe të vërtetësisë së informacioneve që qarkullojnë në internet, prirjen drejt lajmeve rozë dhe soft-porn, si dhe një numër në rritje të problemeve etike, siç janë: gjuha e urrejtjes, sulmet personale, cenimi i privatësisë, abuzimi me të dhënat personale, mosrespektimi i së drejtës së autorit.”
Për minimizimin dhe përballimin e këtyre sfidave dhe problemeve, dr. Zguri mendon se zgjidhja më e përshtatshme do të ishte vetë-rregullimi, hartimi dhe respektimi i kodeve të etikës nga mediat online.
“Kontrolli me ligj i mjaft aspekteve të internetit mund të çojë në cenim të lirisë së shprehjes, ndaj ky kontroll mund të aplikohet në raste të veçanta, si shpërndarja e mesazheve terroriste përmes internetit, përhapja e urrejtjes etnike etj. Me shumë dobi do të ishte sipas tij edhe përfshirja në kurrikulat e shkollës të lëndëve që merren me edukimin mediatik dhe edukimin mbi internetin.”
Për studiuesen gjermane të medias Sabria David është evident problemi i sjelljes së njerëzve kur navigojnë në internet. Ata, sipas saj, janë aq të çlirët, sa nuk do të ishin sjellë ashtu po të ishin ballë për ballë me tjetrin. Në këto kushte nxitet gjuha e urrejtjes. “Sikundër kemi dhe tipa njerëzish që me ndërgjegje përhapin në hapësirat virtuale pakënaqësi apo konflikte.”