Mediet australiane të martën kanë publikuar mesazhe të shkëmbyera mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrit australian, Scott Morrison, në kohën kur Australia po mundohet që t’i mohojë akuzat se e ka gënjyer Francën për një marrëveshje miliardëshe për nëndetëse.
Australia në shtator e anuloi marrëveshjen me një kompani franceze për prodhimin e nëndetëseve duke e zgjedhur bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për së paku 12 nëndetëse me energji bërthamore, shkruan Rueters, transmeton Gazeta Express.
Anulimi i marrëveshjes nxiti reagime të ashpra të Francës. Presidenti francez tha të dielën se kryeministri australian e kishte gënjyer për qëllimet e Australisë. Morrison e ka mohuar akuzën.
Sipas një burimi të afërt me mesazhet e publikuara, kur kryeministri australian ishte munduar që të realizonte një telefonatë me Macronin rreth kontratës për nëndetëse më 14 shtator, dy ditë para publikimit të marrëveshjes me ShBA-në e Britaninë, Macroni i ishte përgjigjur me një mesazh ku thuhet: “A duhet të pres lajme të mira apo të këqija për ambiciet tona të përbashkëta për nëndetëse?” Përgjigjja e kryeministrit australian nuk është publikuar.
Burimi refuzoi që të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Franca ka thënë se Australia nuk është përpjekur që ta informojë për anulimin e marrëveshjes deri në ditën kur Canberra e publikoi paktin me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.