Mediet të bëjnë të ditur mënyrën se si financohen, do të sigurohej paanshmëria e tyre

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 11:37 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në punëtorinë “Transparenca e financimit të medieve”, të mbajtur nga OSBE, u tha se mediat në Kosovë duhet të jenë transparente sa i përket financimit të tyre.

Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se sipas një raporti të AGK-së për vitin 2016, institucionet e Kosovës kanë shpenzuar rreth 812 mijë euro për media, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, përfitues të këtyre mjeteve kanë qenë rreth 80 media në Kosovë.

Ajo tha se financimi nga institucionet në njërën anë mund të shihet si rritje e transparencës nga to, mirëpo në anën tjetër është “mënyrë e sofistikuar” e ndikimit në media.

“Një medium për ta siguruar ekzistencën duhet të gjenerojë të ardhura materiale që të ketë një qëndrueshmëri financiare. Ata po i sigurojnë përmes marketingut, mirëpo nuk janë të pakta mediat që lidhen me paratë publike, pra, me paratë që i marrin nga institucionet”.

“Shpenzimi i parave publike në media, AKG ka publikuar raportin për vitin 2016. Shpresojmë që shumë shpejt ta kemi edhe një raport tjetër. Sipas këtij hulumtimi, institucionet e vendit gjatë vitit 2016  kanë shpenzuar 812 mijë euro në xhepat e mediave private. Përfituesit e këtyre kanë qenë mbi 80 media në nivel të vendit”.

Sipas Begollit, financimi i mediave është faktor i rëndësishëm që siguron paanësinë e tyre, raporton EO.

Varësia e mediave nga paraja publike mund të jetë varësi që ndikon edhe në politikat editoriale. Mediat duhet të rrisin transparencën e tyre, sepse financimi është faktor i rëndësishëm që siguron paanësinë e tyre”, tha Begolli.

Nexhmedin Spahiu, nga RTV Mitrovica, tha se kur financimi i mediave është i fshehtë, lind dyshimi se çfarë apo kush qëndron pas saj.

Spahiu tha se financimi i mediave nga reklamat do të ndikonte në politikë më të pavarur redaktoriale të një mediumi.

“Është e natyrshme, duhet të dihet edhe origjina e financimit nga financohet. Kur burimi i financimit është i fshehtë, kjo e vë publikun në dyshim se çfarë ka pas asaj. Sa më shumë me pasë reklama, kjo ta mundëson me pasë komoditetin me bë një politikë më të pavarur”.

Budimir Niçiq, Asociacioni i Gazetarëve Serbë të regjistruar në Kosovë, tha se fondi që kanë institucionet publike për mediat e komuniteteve po keqpërdoret.

Niciq tha se do të ishte mirë që me ligj të rregullohej ndarja e mjeteve për mediat, sidomos nga komunat.

“Diku rreth 200 mijë euro është fondi për mediat e pakicave, por, sipas mendimit tim, shumë shpesh keqpërdoret. Mediat e pakicave janë dëmtuar për 400 mijë euro për 2 vite me radhë. Nuk ka kurrfarë kuptimi, mirëpo asnjë nga mediat tona nuk është marrë me atë temë. Me ligj të rregullohet ky lloj financimi kur bëhet fjalë për komunat. Me ligj këto organe të ndajnë një përqindje të caktuar të buxhetit normalisht varet edhe nga komunat”, shtoi Niçiq.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin njohës të medieve dhe përfaqësues të tyre.

Të ngjashme