Mediumi serb publikon detaje nga takimet në Bruksel: “Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Mediumi opozitar serb, Nova.rs, raporton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit dhe draftit të statutit të Asociacionit ta bëjë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi.

Në një shkrim të publikuar të enjten, bazuar në burime diplomatike, Nova raporton se Vuçiqit do t’i kërkohet zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, dhe kjo kërkesë rrjedh nga epilogu i takimeve të ndara që presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë pasur me liderët e BE-së.

Një burim diplomatik i ka thënë gazetës serbe se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar draft-statutin për themelimin e Asociacionit.

“Kurti pranoi themelimin e AKS-së dhe Statutin që u krijua. Ky propozim i Statutit është pranuar nga të dyja palët dhe tani po kërkojmë vetëm një formë që do të “vulos” marrëveshjen. AKS nuk do të ketë asnjë funksion ekzekutiv, përveç në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe pjesës që ka të bëjë me transparencën në financimin e buxhetit nga Serbia”, ka thënë bashkëbiseduesi i Nova.rs nga qarqet diplomatike.

Siç tregon ai, pritet që të ketë ndryshim emri.

“Ka shumë gjasa që të mos quhet Asociacioni i Komunave Serbe dhe ka mundësi që në atë ‘asociacion’ t’i shtohen edhe disa komuna të tjera me shumicë shqiptare. Historia për kompetencat ekzekutive të atij organi, e ngjashme me atë që ka Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, thjesht nuk qëndron dhe definitivisht nuk do të ndodhë”, ka thënë ky burim diplomatik, shkruan Nova.

Se pavarësisht progresit, ende ka probleme në negociata, ka thënë ky burim i Nova-s.

Një nga çështjet ku ka ngecur marrëveshja është edhe fakti se kryeministri i Kosovës, në takimin me Vuçiqin dhe përfaqësuesit e BE-së, ka kërkuar që të bëhet një zyrtarim, d.m.th. nënshkrimi i marrëveshjes.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë ka theksuar se nënshkrimi i mundshëm mund të vijë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, të cilat janë planifikuar për 17 dhjetor.

“Aty është shfaqur kërkesa e Kurtit për anëtarësim në BE dhe NATO dhe ka kërkuar që një gjë të tillë ta bëjnë pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Vuçiq e ka pranuar draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por pa nënshkrim, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë nënshkrim”, ka thënë ky burim, sipas Nova-s.

“Vuçiq pranoi gjithçka, përfshirë edhe nënshkrimin e marrëveshjes, por jo me Kurtin për të njëjtin dokument. Ai po ashtu theksoi se nënshkrimi i mundshëm mund të vijë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi dhe sugjeroi ndër të tjera që presidenti i Francës të vizitojë Beogradin në muajin e ardhshëm, që përkon me periudhën e fushatës parazgjedhore”, tha burimi. /Nova

Të ngjashme