Medreseja ishte vendi ku parakaluan kokat më të ngritura e të ditura të kombit tonë, të cilët mundësuan ruajtjen e vlerave të identitetit tonë kombëtar dhe fetar.
Kështu u tha në manifestimin e organizuar me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë, në të cilën morën pjesë krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, profesorë, nxënës dhe mysafirë tjerë nga jeta politike, kulturore dhe arsimore.
Myftiu Naim Tërnava në fjalën e tij tha se medreseja “Alauddin” kaloi nëpër sfida të shumta, mirëpo asnjëherë nuk u dorëzua, duke e bërë të pamundshmen të mundshmen.
“Atëherë kur ishin mbyll të gjitha dritaret dhe dyertë për t’i folur masës, medreseja megjithatë gjeti dritaren prej kah dëgjohej zëri, për kah udhëzohej popullata mbarë. Medreseja ishte vendi ku parakaluan kokat më të ngritura e të ditura të kombit tonë. Në medrese gjatë viteve të 90-ta u mbajtën mbi 2 mijë tubime politike, arsimore dhe kulturore”, tha myftiu Tërnava.
Se Medreseja “Alauddin”, ka luajtur një rol shumë dimensional, e tha edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci-Demaj, e cila vlerësoi lart kontributin e medresesë në të gjitha etapat, teksa u zotua se MASHT-i do të vazhdojë të ofrojë ndihmën dhe bashkëpunimin e vet për të gjitha shkollat pa dallim, duke përfshirë edhe këtë shkollë.
“Duhet përgëzuar një shkollë si medreseja, e cila ka mbajtur frontin bindshëm dhe ruajtjen e vlerave, të identitetit tonë kombëtar, vlerave tona si shoqëri dhe për këtë duhet përshëndetur dhe falënderuar të gjithë veprimtarët e asaj kohe. Ndërsa ju e dëshmuat se çdo gjë është e mundshme. Ju duhet të angazhoheni që t’i ruani këto vlera që në masë të madhe janë duke u rrënuar”, tha zëvendësministrja Statovci-Demaj.
Drejtori i Medresese “Alauddin”. Jakup Çunaku, foli për rolin e kësaj shkolle përgjatë viteve 89-99, duke potencuar se përveçrolit në fushën e arsimit, shumëfishoi rolin e saj duke u vënë 100 për qind në shërbim të popullit dhe kauzës sonë për liri dhe pavarësi.
Në fund nga nxënësit e kësaj shkolle u shfaq një program i pasur kulturor-artistik.
Medreseja e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, hapi dyert e saj në vitin shkollor 1962-63.
Nga viti 1993 kjo medrese ka hapur paralelen e saj në Prizren, dhe një vit më vonë edhe atë në Gjilan.