Tre të dyshuarit kryesorë për vrasjen e tre vetave në qendër të Gjilanit, Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edonis Shkodra, prej të dielës, vazhdojnë të jenë në arrati.
Dyshimet kryesore për këtë rast ndërlidhen me fajde.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur disa prej masave që ka ndërmarrë për këtë rast.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, bëri të ditur dje Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, për shkak të hetimeve lidhur me veprimet hetimore e policore për këtë vrasje, janë suspenduar katër policë, bëri të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.