E çmoj shtetin tim. I çmoj ligjet e vendit tim. Qe 7 vjet unë si shumë pensionistë të vendit që s’është ende shtet si duhet, çdo 6 muaj paraqitemi me kartela si në Luftën e II Botërore për të dëshmuar identitetin tonë, se ende s’kemi shkuar në atë dynja si dhe të mos dyshojnë se po e vjedhim shtetin tonë që me dekada e kemi ëndërruar e secili me takatin e vet i ka ndihmuar.
A mund të zgjidhet kjo çështje e ky mund që lëndon dinjitetin e pensionistit kosovar? Sigurisht se po! Përmes rrjeteve të përbashkëta kompjuteristike të komunave dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Kështu nuk do të dyshonin në ne që shkojmë nga kjo dynja se e kemi vjedh shtetin tonë të dashur!
Dhe, nuk po kërkojmë të na i rritni pensionet se ato po na mjaftojnë për ilaçe, një kafe në ditë dhe ndonjë byrek pa mish…
Ju deputetë e ju liderë që as gjumin gjumë s’po e bëni vetëm për popull – i rritni pagat e juaja, dilni në pension 10 vjet para nesh se keni lënë shëndetin për të mirën e vendit, blini kravata të shtrenjta se në Bruksel nuk shkohet gjithqysh… Për ne mos mbani gajle.
Se kohë më parë një deputete e një partie deklaroi në një televizion se “arsimtarëve të viteve të 1990-të dhe pensionistëve mund të marrim vendim t’ua paguajmë shpenzimet e varrimit”!
A po bindeni se jemi popull që end kemi mëshirë! Amen!