Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/ Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore. Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami.
Indeksi publikohet për 180 shtete të botës, duke përdorur një metodologji vlerësuese e cila është e bazuar në burime kredibile të institucioneve ndërkombëtare. Poentimi bazohet në vlerësim nga 0 deri në 100 pikë – ku zero pikë paraqet nivelin më të lartë i korrupsionit, ndërsa 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion.
Eugen Cakolli, nga KDI, tha në një konferencë për medie se sipas rezultateve Kosova në luftën kundër korrupsionin qëndron më mirë se Shqipëria, Serbia e Bonjë e Hercegovina, ndërkohë që para saj janë Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.
“Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore. Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (në vendin e 63), dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108). Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, tha Cakolli.
Sipas tij progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve.
“Sidoqoftë, progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve. CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë – përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, tha tutje ai.