Kryetari i komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, Murat Meha, ka folur rreth atyre që ai i ka quajtur kërcënime e dhunë.
Duke aluduar për bombën e vendosur sot në shtëpinë e tij, ka theksuar se “ne po sulmohemi nga ata që çdoherë dalin në televizione me sharje e fyerje”. “Unë s’i kam borxh askujt”, ka thënë Meha, duke përsëritur se Kosova nuk ka humbur asnjë pëllëmbë tokë me Malin e Zi.
Meha në vazhdim ka thënë se regjistrat kadastralë janë të vetmit relevantë me të cilët duhet të shënohet kufiri pasi, sipas tij, nëse nuk veprohet kështu gjatë shënjimit të kufirit Kosovë – Serbi, vendi ka për t’u dëmtuar shumë.
“Keni për të parë ku ka për të na hyrë Serbia nëse nuk respektohen regjistrat kadastralë”, është shprehur Meha.