Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po qëndron në Kanada, ku ka marrë pjesë në Forumin në Halifax.
Atje Mehaj është takuat me Komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të SHBA-së, Gjeneral me 4 yje Richard D.Clarke si dhe stafin e tij.
Ministri i ka thënë se është e rëndësishme prania e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë.
“Ritheksova rëndësinë e pranisë së një baze të përhershme ushtarake në Republikën e Kosovës, gjë që do të ishte në benefit jo vetëm të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Mehaj.
Ai tha se Forcat Amerikane janë modeli ynë i stërvitjes dhe operacioneve ushtarake, ndërsa shtoi se kanë diskutuar për përkrahjen e vazhdueshme të ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka ka shprehur falënderimin e tij.
“Së bashku shkëmbyem opinione rreth zhvillimeve aktuale në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, si në nivelin nacional, e poashtu edhe në atë rajonal e global”, theksoi ministri Mehaj.