Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se paqja është e vetmja rrugë, ndërsa konfirmoi se rrugëtimi dhe qëllimi i FSK-së është vetëm anëtarësimi në NATO.
Mehaj tha se do të përmbushet çdo detyrë që të arrihet kjo, ndërsa konfirmoi se janë blerë pajisje të reja ushtarake.
“Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është iqartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, tha Mehaj.
Ai tha se ngritja e kapaciteteve ushtarake është bërë “për t’i dalë zot vendit”, të cilin tha se “do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”.
“Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qqenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”, tha Mehaj.
“E kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”, tha ndër tjerash ministri i Mbrojtjes.
Fjalimi i plotë i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj:
“I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti;
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu;
I nderuar Komandant i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari;
I nderuar shef i stafit të KFOR-it, z. Bozicevic;
I nderuar drejtor i AKI-së, z. Ajeti, Ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla;
Të nderuar deputet të Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, kryetarë të grupeve parlamentare, kryetarë të partive politike;
I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Përparim Rama dhe kryetarë tjerë të komunave;
Të nderuar Ambasadorë të vendeve partnere, këshilltarë bilateralë dhe atashe ushtarakë;,
Të nderuar Gjeneralë të FSK-së, oficerë dhe ushtarakë;
Të nderuar të pranishëm,
Sot është nder i veçantë të jem para jush në këtë ngjarje e cila shënon hapjen zyrtare të ushtrimit më të madh ndërkombëtar “Defender Europe ‘23”.
Në këtë ushtrim do të kemi pjesëmarrës 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarë, pra ne, do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarë në këtë ushtrim.
Përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe ‘23” i kemi filluar që një vit e gjysmë. Trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi.
Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s, sepse rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO.
Prandaj ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe.
Colin Powell thotë: “Kur të gjithë janë të bashkuar për një qëllim…/ një qëllim pozitiv që i shërben jo vetëm organizatës/.., por edhe botës…. /…ju keni një ekip fitues”.
Vërtetë të gjitha vendet partnere, jemi bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët, ky qëllim patjetër që do t’i shërbejë botës dhe paqes.
Ushtria e Republikës së Kosovës me intervenimet e saj, me bashkë-zbarkimet që ka realizuar jashtë vendit, me misionet humanitare në vendet partnere, me operacionet ndërkombëtare siç ka qenë evakuimi i refugjatëve Afganë, ka dëshmuar që ne jemi partner i besueshëm për aleatët tanë, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu kemi dëshmuar që ne tani më nuk jemi vetëm konsumues, por edhe eksportues të sigurisë. Pra kemi forcuar kapacitetet tona për mbrojtje të vendit dhe garantim të paqes ku do që kërkohet.
Gjatë këtyre dy viteve fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnimi, stërvitja dhe shkollimi i tyre, pastaj ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, e gjithë kjo është bërë jo për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur vendin tonë.
Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ne do ta mbrojmë kurdoherë që të jetë e nevojshme.
E kaluara jonë na ka mësuar që për të fituar lirinë duhet derdhur gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet derdhur mund e djersë.
Liria i takon vendit, vendi i takon popullit të lirë dhe miqve e partnerëve tanë të përjetshëm. Paqja është rruga jonë, paqja është e vetmja rrugë.
Përfundimi i suksesshëm i ushtrimit “Defender Europe 23”, do të dëshmojë që ushtria jonë është e aftë dhe e gatshme për të bashkëvepruar me ushtritë partnere të vendeve të NATO-s.
Dhe, siç thotë William Clinton: “Misioni ynë në këtë shekull të ri është i qartë……/ Për mirë apo keq, ne jetojmë në një botë të ndërvarur……./Nuk mund t’i shpëtojmë njëri-tjetrit…../ Prandaj, ne duhet të kalojmë jetën tonë duke ndërtuar një komunitet global të përgjegjësive të përbashkëta, vlerave të përbashkëta, përfitimeve të përbashkëta.
Faleminderit dhe urime të gjithëve!
Së bashku jemi më të fortë!”