Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja që të reagojnë ndaj deklaratave të Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë.
Sipas tij, Serbia me qëndrimin e saj të fundit ka treguar se janë pro-Rusisë.
“Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga Bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin. Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së”.
“Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë. Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdoj, aktivitetet destruktive për cenimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë”,ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.
Po ashtu, ai ka kërkuar që Kosova të pranohet në BE dhe në NATO.
“Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë. Republika e Kosovës në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike”.
“Prandaj, mos hezitoni! Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur! Kosova në NATO! Kosova në BE!”,ka thënë Mehaj