Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se po e përmbyllim vitin 2022 me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84 për qind më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi dy mijë e 500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
“Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut”, ka shkruar ministri Mehaj.
Mehaj ka theksuar se e ardhmja e FSK-së është në NATO, ngase sipas tij në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet e FSK-së.
“Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit”, ka potencuar Mehaj.