Mehaj shpreh keqardhje për ushtarin hungarez të KFOR-it që iu amputua këmba

Prishtinë | 10 Kor 2023 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur keqardhje për ushtarin hungarez që u plagos në veri, të cilit iu amputua këmba.

Ai u uroj rikuperim 26 ushtarët tjerë hungarez të plagosur në veri.

“Shpreh keqardhjen time me rastin e pranimit të informacionit se ushtarit hungarez të KFOR-it, të lënduar nga ane e grupeve kriminale serbe gjatë protestave në Zveçan, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është dashur që t’i amputohet këmba nga ana e mjekëve të Institutit Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor në Hungari. Uroj që 26 ushtarët tjerë hungarez të plagosur sa më parë të rikuperohen, e të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it”, ka shkruar ai.

Tutje, Mehaj u shpreh se grupet kriminale përgjegjëse për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it duhet të marrin dënimin meritor.

“Grupet kriminale përgjegjëse për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it duhet të marrin dënimin meritor, ngase dhuna është e papranueshme dhe asnjë formë nuk mund të zmbraps ushtrimin e rendit e ligjit, mjeteve demokratike të pakontestueshme, të drejta e të domosdoshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme