Mehaj takohet me presidentin e ISOA-së, Mac McClelland, temë e diskutimit rritja e bashkëpunimit

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar me presidentin e ISOA-së, Mac McClelland.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, shkruan se iu ka dhuruar mirëseardhje në Kosovë, Asociacionit Ndërkombëtar për Operacione të Stabilitetit, në Simpoziumin e parë Ndërkombëtar të tyre, njofton Klankosova.tv.

“Sot u dëshirova mirëseardhje në vendin tonë dhe mbarësi në nismën e bashkëpunimit konkret, Asociacionit Ndërkombëtar për Operacione të Stabilitetit- ISOA, në Simpoziumin e Parë Ndërkombëtar të tyre, me temën “Teknologjia dhe sfidat për materialet e integruara balistike”, shkruan Mehaj.

“Konfirmimin e bashkëpunimit në interes jo vetëm të vendit tonë por të gjithë rajonit, e bëri në fjalën e tij edhe Presidenti i ISOA për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, z Mac McClelland”.

Bashkëpunimi me ISOA-n që vepron me seli në Washington, sikur edhe organizimi i këtij simpoziumi, është i pari në një format të tillë, në Kosovë dhe në rajon.

Tutje, Mehaj tha se ky Simpozium ofron mundësi për institucionet e sigurisë që të mësojnë më shumë rreth teknologjisë.

“Ky simpozium ofron një mundësi unike për përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, që të mësojnë më shumë rreth teknologjisë nga përvojat më të avancuara për materialet e integruara balistike, teknologjitë më të reja, performancën e materialeve mbrojtëse balistike në kushte ekstreme mjedisore, si dhe rreth materialeve dhe automjeteve të blinduara”.

“Gjithashtu, është edhe mundësi shumë e mirë për të diskutuar për zhvillimet e ardhshme, metodologjitë e fundit të testimit dhe proceset e matjes së cilësisë për materialet dhe pajisjet e sigurisë”.

“Përvoja, diskutimet profesionale, njohuritë që ndahen nga ekspertët më të njohur të fushës, janë të një rëndësie shumë të madhe për të pasur një qasje konkrete sa i përket pajisjeve teknologjike dhe materialeve të sofistikuara ushtarake, drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për një ambient të sigurt për të gjithë”.

“Siguria dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi, edhe këtyre ditëve, po sfidohet nga qasja destruktive e qarqeve anti-demokratike, prandaj qasja e integruar e vullnetit të mirë e akterëve vendimmarrës rajonal, është përgjigja më e mirë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm”, shkruan në fund Mehaj.

Të ngjashme