Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott, me të cilin kanë diskutuar për mundësisë e mbështetjes financiare nga qeveria britanike për projektet që planifikohet të realizohen në të ardhmen.
Mehaj në një postim në Facebook, tha se me Abbottin po ashtu kanë diskutuar rreth projekteve të cilat janë duke u realizuar dhe atyre që pritet të fillojnë.
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj të pakursyer në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë, përmes ofrimit të trajnimit për ushtarët, shkollimit për oficer përkrah ushtrisë britanike dhe investimit në projekte të rëndësishme për Ministrinë e Mbrojtjes. Në kuadër të këtij bashkëpunimi sot takova Ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abott, me të cilin diskutuam rreth projekteve të cilat janë duke u realizuar dhe atyre që pritet të fillojnë, si dhe mundësisë së mbështetjes financiare nga qeveria britanike për projektet që planifikojmë t’i realizojmë në të ardhmen”, ka shkruar ai.
Mehaj shton se “mbesin të përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me shtetet partnere me qëllim të ngritjes së infrastrukturës së nevojshme për ushtrinë e shtetit tonë”.