Sulmuesi shqiptar, Admir Mehmedi, beson se 2019-ta do të jetë vit pa lëndime për të.
Kampin përgatitor në Portugali me skuadrën e tij Wolfsburg e ka përfunduar pa asnjë ankesë, dhe kjo do të thotë shumë për një lojtar që të shumtën e kohës e kalon me lëndime.
Ai beson se lëndimet që i pati vitin e shkuar i ka lënë pas dhe se nuk do t’i përsëriten gjatë këtij viti, përcjellë gazeta zvicerane “Blick” të mërkurën.
Kampin përgatitor në Portugali, Mehmedi e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar “hat-trick” në fitoren 3:0 që Wolfsburgu e regjistroi kundër Rijekës. Ai ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 62-të, kurse golat i realizoi në minutat 42, 55 e 59. Për Mehmedin ky ishte “hat-tricku” i parë prej vitit 2014 kur ishte pjesë e Freiburgut.
“Mund të them se jam në një formë të mirë dhe jam i gatshëm për pjesën e dytë që do të jetë e rëndësishme për të gjithë ne”, është shprehur Mehmedi 27-vjeçar.