Asambleisti i AKR-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka hedhur kritika në adresë të kryetarit Përparim Rama. Sipas tij, mjetet e përdorura për blerjen e biçikletave do duhej të përdoreshin për ndonjë investim kapital, raporton Ekonomia Online.
Mehmeti ka thënë se qytetarët në Prishtinë ende furnizohen me gypa të viteve të 60-ta.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Mehmeti ka përmendur mungesën e infrastrukturës rrugore në Kryeqytet e problemet me kanalizim.
“Edhe pse çdo investim i ri sa i përket çështjes së mobilitetit mund të jetë i mirë, mirëpo më prioritet duhet të jetë çështja e infrastrukturës nëntokësore, për shembull Prishtina e ka ende diku 120 kilometra ASBEST, në të kaluarën janë ndërruar 110 kilometra mirëpo në qytet ende sa i përket furnizimit me ujë është me gypa të vjetër të viteve 60-ta të ASBEST-it pastaj nuk kemi ndarjen e kanalizimit fekal dhe atmosferik, me qenë këto të holla të shkojnë aty ku ballafaqohet qytetari i Prishtinës shumë me rëndësi”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se blerja e këtyre biçikletave, nuk është interes i qytetarëve dhe se mjetet duhet të dedikohen për tatimpaguesit.
“E sa i përket biçikletave me çmime marramendëse, nuk janë investime të domosdoshme, për të cilat ka kërkesa të qytetarëve të Prishtinës, për mua këtë rast është një investim i cili nuk është karshi interesave dhe kërkesave të qytetarëve të Prishtinës, sepse është shumë më korrekt ndaj tatimpaguesve kish me qenë që të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë dhe kanalizimit atmosferik dhe fekal”, ka thënë Mehmeti.