Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin, Ilir Aliu.
Guvernatori Mehmeti duke falënderuar Ministrin në detyrë Bislimi dhe Zëvendësministrin Aliu për vizitën, i njoftoi lidhur me situatën aktuale në sistemin financiar të Kosovës në përgjithësi dhe sistemin bankar në veçanti, si rezultat i situatës së krijuar për shkak të pandemisë Covid 19, si dhe menaxhimin e kësaj situate nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në takim gjithashtu, u diskutua edhe për situatën ekonomike dhe financiare në vend dhe në veçanti rëndësia e planit të rimëkëmbjes ekonomike me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të situatës së krijuar për shkak të Pandemisë.
Guvernatori Mehmeti siguroi Ministrin në detyrë Bislimi se BQK-ja do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme konform mandatit të saj ligjor për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike në vend.
Guvernatori Mehmeti dhe Ministri në detyrë Bislimi shprehen gatishmëri për bashkërendim të aktiviteteve ndërmjet institucioneve dhe u dakorduan, që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen.