Autoritetet meksikane e kanë arrestuar një komandant lokal të policisë për shkak të dyshimeve se ka lidhje me vrasjen e tri grave dhe gjashtë fëmijëve me prejardhje meksikano-amerikane muajin e kaluar.
Sulmues të dyshuar për pjesëmarrje në bandat e drogës i qëlluan për vdekje nëntë persona të familjes Mormon në Sonora të Meksikës më 4 nëntor, duke nxitur reagime të shumta në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Disa gazeta meksikane raportuan se agjentët e zbatimit të ligjit e arrestuan komandantin Fidel Alejandro Villegas, shef i policisë në komunën Janos. Ai dyshohet për lidhje me krimin e organizuar, por ende nuk dihet roli i saktë i tij në lidhje me krimin e muajit të kaluar.
Zyrtarët meksikanë besojnë se gratë dhe fëmijët u vranë pasi u gjendën në mesin e një përleshjeje mes bandave të drogës, të cilat ishin duke luftuar me njëra-tjetrën për ta fituar kontrollin në zonën ku ndodhi sulmi.
Nën presionin e homologut amerikan, presidenti i Meksikës, Andes Manuel Lopez Obrador, kërkoi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara për këtë rast, duke e ftuar FBI-në që të bëhet pjesë e hetimeve, shkruan “The Guardian”.