Autoritetet meksikane e kanë shpallur gjendjen emergjente shëndetësore dhe kanë marrë masa më të rrepta për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Zyrtarët shëndetësorë i raportuan 101 raste të reja të infektimeve dhe tetë viktima për 24 orë, duke e çuar në 1094 numrin e përgjithshëm të të infektuarve dhe në 28 numrin e përgjithshëm të viktimave. Ata paralajmëruan se sistemi shëndetësor mund të stërngarkohet me pacientë, nëse nuk kontrollohet përhapja e virusit.
Në mesin e masave të reja për luftimin e coronavirusit përfshihen ndalimi i tubimeve me më shumë se 50 pjesëmarrës dhe zgjatja e ndalimit të aktiviteteve që nuk janë thelbësore për jetesë, shkruan “Reuters”.
“Kjo vlen rreptësisht për njerëzit mbi moshën 60-vjeçare, për ata që kanë shtypje të lartë të gjakut, për diabetikët dhe shtatzënat, pavarësisht nëse këta njerëz kanë profesione jetike apo jo”, tha zëvendësministri i shëndetësisë, Hugo Lopez-Gatell.
Meksika është ndër shtetet me përqindjen më të lartë të popullsisë me mbipeshë dhe diabet, prandaj ekspertët kanë paralajmëruar se vendi është më i rrezikuar nga koronavirusi sesa që tregon mosha mesatare e popullsisë relativisht të re.
Njoftimin për masat e reja e dha ministri i jashtëm, Marcelo Ebrard, i cili paralajmëroi se personat ose kompanitë që nuk i respektojnë rregullat do të përballen me ndëshkime administrative dhe penale. Gjendja emergjente shëndetësore do të mbetet në fuqi deri më 30 prill.