Padia e Melania Trump ndaj gazetës së famshme britanike “Daily Mail” është hedhur poshtë nga një gjykatës i qarkut të SHBA.
Zonja e Parë filloi të ndërmerrte veprime ligjore kundër së përditshmes britanike, së bashku me faqen e saj online “MailOnline”, pasi ka publikuar një artikull ku thuhej se ajo dikur ka punuar dikur si eskortë dhe se ka pësuar një herë “një krizë nervore”.
Por një gjykatës i Maryland, ku është paraqitur dhe padia, thuhet se ka hedhur poshtë përpjekjen e saj për shkak se gjykata nuk ka juridiksion për të dëgjuar një rast që përfshin një kompani të huaj.
“Buzzfeed News” ka raportuar se avokatët e zonjës së parë u përpoqën të dëshmonin se ka pasur një lidhje të drejtpërdrejtë, sepse faqja e internetit merr 4 600 shikime për një artikull në orë dhe 72 600 shfletues unikë nga Anglia në një ditë.
Avokatët e Mail kanë argumentuar se kompania britanike e medias, me bazë në Kensington, në perëndim të Londrës, nuk kishte asnjë lidhje me Maryland.
Ekipi ligjor i Melanias thuhet se ka në plan të riparaqesë çështjen në New Jork, ku “MailOnline” ka një zyrë përfaqësimi.
Mail e tërhoqi historinë e saj dhe publikoi një deklaratë të plotë, pasi zonja Trump ndërmori veprime ligjore.
Artikulli citonte raportin e një reviste sllovene ku në titull shkruhej: “Fotot provokative dhe pyetjet shqetësuese në lidhje me të kaluarën e gruas së Trump që mund të përmbysë Trumpin”.
Një avokat i 46-vjeçares, e cila ka lindur në Slloveni dhe më pas u zhvendos në SHBA për të punuar si modele në vitet 1990 e u martua me biznesmenin 70-vjeçar në vitin 2005, tha se deklaratat ishin “100% false”.