Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka arritur në Kiev të Ukrainës.
Ajo ka njoftuar se atje ka shkuar me ftesë të kryerabinit të Ukrainës, Moshe Azman, për të marrë pjesë në përurimin e strehimores nëntokësore në lagjen e komuniteti izraelit “Anatevka”.
Gjatë fjalës së saj, Haradinaj ka theksuar se populli i Kosovës qëndron përkrah atij të Ukrainës pikërisht sepse e ndjen peshën e rëndë të luftës për liri dhe demokraci përballë barbarive të pafundme të Putinit.
“Në Kiev të Ukrainës, në cilësinë e ish-Ministres së Jashtme të Republikës së Kosovës, me ftesë të Kryerabinit të Ukrainës z.Moshe Azman, për të marrë pjesë në përurimin e strehimores nëntokësore në lagjen e komunitetit izraelit ‘Anatevka.’
Kisha nderin t’u adresohem të pranishmëve, bashkë me ish-Presidenten e Republikës së Kroacisë znj. Kolinda Grabar-Kitarovic, ku morrën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga qeveria dhe ushtria e Ukrainës, ministra, deputetë, e liderë nga të gjitha konfesionet fetare.
Mes tjerash, theksova se populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Ukrainës pikërisht sepse e ndjen peshën e rëndë të luftës për liri e demokraci përballë barbarive të pafundme të Putinit. Nënvizova faktin se ashtu si Ukraina, edhe Kosova po përballet dhe po i reziston suksesshëm ambicieve malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke shndërruar kështu vendet tona në mburoja kundër zgjerimit të ndikimit rus, dhe si kufij kritik për në sigurinë evropiane dhe transatlantike.
Shpreha bindjen se miqësia mes Kosovës dhe Ukrainës ka potencialin e madh për të dobësuar kontrollin e Putinit në rajonet tona, duke krijuar një rrugë drejt një të ardhmeje të përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka shkruar Haradinaj- Stublla.