Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një intervistë në RTK Prime tha se PDK do të marrë pjesë në seancën kur do të votohet Projektkodi Civil, por ai tha se para së gjithash i takon kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani të thonë së pari mendimin e tyre.
“Debati është i mirëseardhur është i domosdoshëm. Ne vendimin do ta japim në ditën kur do të votohet dhe ne ishim të gatshëm ta japim edhe në seancën kur u caktua të votohet ky projektkod, por shumica parlamentare, e prirë nga Vetëvendosja kërkoi që të hiqet.”, tha ai.
Krasniqi konsideron se është e padrejtë që të kërkohet përgjigje për qëndrimin e PDK-së lidhur me çështjen e Projektkodit Civil, debati për të cilin është reduktuar në lejimin e martesave mes gjinive të njëjta, pa kërkuar së pari nga kryeministri të deklarohet në lidhje me këtë çështje.
“Në kuptimin formal shumicës nuk i duhen votat tona, por ne e kemi obligim dhe do të votojmë siç e kemi marrë vendimin si parti.”, tha ai.