Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë sot gjatë një vizite në një fabrikë të prodhimit të ëmbëlsirave në Vushtrri se ato janë shumë më të shijshme sesa çokollatat e Zvicrës.
Kreu i PDK-së e ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të vizitojë prodhuesit vendorë dhe të shijoj produktet e shijshme që ata i bëjnë, para se të vizitojë fabrikat industriale të cokollatave jashtë Kosovës.
“Padyshim se edhe unë edhe të gjithë i vlerësojmë çokollatat e Zvicrës, por, unë i kisha thanë Kryeministrit Kurti që para se me shku mi vizitu fabrikat e çokollatave në Zvicër, le të vjen e të ëmbëlsohet me këto ëmbëlsira të Kosovës, që fermerët dhe gratë e vyeshme të vendit tonë janë duke i prodhuar. Sepse, janë këta që kanë nevojë për mbështetje, e jo fabrikat e prodhuesve të çokollatave në Zvicër. Edhe, i garantoj që këto ëmbëlësira që i provuam sot në IADK, janë më të shijshme sesa çokollatat industriale që prodhohen në Zvicër.”, ka thënë Krasniqi.
Këto komente kreu i PDK-së i bëri gjatë takimit me fermerë të Komunës së Vushtrrisë në Organizatën Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, ku shumë gra punëtore bëjnë edhe përpunimin e pemëve dhe perimeve si dhe përgatisin ëmbëlsira me prodhime vendore.