Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se dëmi që ju ka shkaktuar nxënësve nga mos vijimi i mësimit si shkak i grevës, është shumë i madh.
Krasniqi ka thënë se përkundër se si opozitë i ofruan bashkëpunim në zgjidhjen e problemit, Albin Kurti problemin specifik që kërkon zgjidhje, e shndërroi në zgjidhje të tij për problemet e veta të gjithanshme.
Kreu i opozitës ka thënë se mësimdhënësit ndoshta edhe do ta ndërpresin grevën duke mundësuar kthimin e nxënësve në shkolla, “gjë që ne e inkurajojmë, por, epilogu i kësaj sage, e ka nxjerrë në pah një qeveri jo legjitime, e cila ushtron pushtet por nuk ofron zgjidhje”.
“Ushtron sanksione por nuk ofron ligjshmëri. E cila nuk dialogun, por ushtron presion dhe e ka për mision me përça shoqërinë, gjë që neve na ka ndërgjegjësuar dhe s’do ta lejojmë kurrë që të ndodhë. Lavdia në kurriz të padrejtësisë është jetëshkurtër”, ka thënë Krasniqi.
Sipas liderit të PDK-së, përderisa qytetarët kanë telashe socio ekonomike e kanë pritë me dalë prej barrës së pandemisë, me u hapë, me rinisë jetën, aktivitetin, zhvillimin, e për krejt këto kanë pritë angazhimin e qeverisë dhe investimet e saj, investimi ma i madh dhe i vetmi që ka bërë kjo qeveri në dy vite të mandatit, është ky, që me nda shoqërinë në taborë.
“Me ne, a me ata. Ja ne – ja ata. Këtu veç ne dhe ata bashkë për me zgjidh problemin s’ka. Ka gjithçka të kundërt. Përplasje në vend të dialogut. Kryeneçësi në vend të kompromisit. Kjo është simptomë se si ky mentalitet autokratik e sheh qytetarin e Kosovës dhe shoqërinë e Kosovës. Është e dhimbshme se çfarë mendësie ia ka mveshë idesë së pushtetit dhe përgjegjësisë politike, qeverisja e Albin Kurtit”, ka thënë Krasniqi