Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ka takuar sot kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjën Lindita Nikolla, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi dhe Nikolla kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për mundësinë e krijimit të platformave të përbashkëta të veprimit.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron prioritet shtetëror intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në të gjitha fushat, andaj do të vazhdoj të luajë rol qendror në këtë drejtim”.
“Dy shtetet tona duhet të jenë bashkë e më të forta, në rrugën e integrimit euro-atlantik”, theksoi Krasniqi.
Në këtë vizitë, Krasniqi shoqërohet dhe nga nënkryetarja e partisë, Vlora Çitaku, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri dhe sekretari i PDK-së, Bajrush Xhemajli.