Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se ka zhvilluar një tjetër vizitë në Hagë për t’u takuar me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë “lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi”, pavarësisht viteve të gjata të procesit gjyqësor.
“Edhe pas gjithë këtyre viteve të gjata e të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai e përshkroi Veselin si të palëkundur në bindjet e tij dhe me dashuri të madhe për Kosovën.
“Si gjithmonë, i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet”, u shpreh ai.
Krasniqi tha se pritja e gjatë dhe shtyrja e vazhdueshme e vendimit nuk është e lehtë për askënd, duke shtuar se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në të drejtën që ky proces të marrë fund sa më parë, me një vendim të drejtë, të pa ndikuar dhe përfundimtar”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai tha se po i numërojnë ditët deri në kthimin e tyre në Kosovë.
“Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës”, shtoi Krasniqi.