Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përkujtuar familjen Jashari
“Me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës, fjalët qëndresë, sakrificë, guxim e krenari, morën kuptimin e vërtetë. Ato u përbashkuan në një vend, në një familje dhe në një mbiemër: familja Jashari,” shkruan Krasniqi.
“Heroizimi dhe sakrifica e familjes Jashari, mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri. Secili anëtar i familjes Jashari, u bë fanar shprese në luftën e përgjakshme për çlirim. Nga baca Shaban e te nana Zahide, nga Hamza e te Blerina, nga Ademi e te Kushtrimi 13 vjeçar, pushka e të cilit shkrepi e fundit në atë betejë.”
Për tri ditë, familja Jashari ktheu çdo gur të Prekazit në monumente të lavdisë që do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar deri në mbarim të kohës, përfundon Krasniqi.