Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u ka uruar suksese ekipit të sportistëve që do ta përfaqësojnë Shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Në prag të nisjes së lojërave Olimpike, lideri i opozitës në Kosovë i ka përmendur me radhë të gjithë garuesit me në krye kampionen e artë Majlinda Kelmendin, duke shkruar në faqen e tij në Facebook se Kosova është me ta dhe ka uruar sukseset më të larta për sportistët e Kosovës.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:
Suksese ekipit fantastik të Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Kampionja jonë e madhe, e arta e Olimpiadës “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, do t’i prijë një grupi të sportistëve shembullorë, që me ambicien, punën dhe sukseset e tyre kanë zënë vendin meritor në garën më të madhe sportive që ekziston.
Me këmbë të mbarë xhudistëve të mjeshtrit Toni Kuka – Majlindës, Distrias, Norës, Lorianës e Akilit, mundësit Egzon Shala, boksieres Donjeta Sadiku, shenjëtarit Drilon Ibrahimi, atletit Musa Hajdari dhe notarëve Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.
Kosova është me ju. Ju duam! 🇽🇰❤🥇