Menaxheri Italian i Projektit për nismën “Luftimi i Krimit të Rëndë në Ballkanin Perëndimor-IPA 2019”, z.Carlo Verdiglione i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, u takua dje në Prishtinë me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Driton Mehmeti. Ai shoqërohej nga Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Nicola Orlando dhe eksperti rezident në Prishtinë, z. Giovanni Mastrolorito.
Në takimet miqësore dhe të frytshme, z. Verdiglione njoftoi homologët kosovarë për progresin në zbatimin e projektit. “Ky është një projekt rajonal nga i cili përfiton nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, tha z. Verdiglione, i cili është një Menaxher i Lartë në Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme Italiane. “Projekti mbështet forcat e policisë së Kosovës në kryerjen e aktiviteteve operacionale që synojnë luftimin e krimit të organizuar. Gjithashtu, ky projekt promovon pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat e bashkëpunimit të BE-së, siç është Platforma Evropiane Multifunksionale Kundër Kërcënimit Kriminal”. Z. Verdiglione theksoi se qasja e projektit është të mbështesë përfituesit dhe t’i ndihmojë ata të shfrytëzojnë të gjitha mjetet ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Z. Nicola Orlando, nënvizoi rëndësinë e projektit IPA duke theksuar se “prejekti gjithashtu konfirmon angazhimin Italian për forcimin e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit, duke promovuar kështu rrugën e Vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Italia mbetet një partner kryesor i Kosovës në këtë fushë dhe ne shpresojmë në zbatimin e këtij projekti. ”
Financuar nga Komisioni Evropian, Italia dhe Gjermania në kuadër të programit Instrumenti i Para-Anëtarësimit IPA 2019, programi “Luftimi i Krimit të Rëndë në Ballkanin Perëndimor” do të investojë rreth 18 milion Euro deri në vitin 2023 dhe përqendrohet në shtyllat e mëposhtme: 1) hetimi; 2) pjesëmarrja dhe kontributi në BE, si dhe strukturat dhe vlerësimet e bashkëpunimit ndër-rajonal; 3) shkëmbimi i informacionit.