Është raportuar se Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktojë masën e paraburgimit Rinor Hykollit, menaxherit të reperes Tayna, si i dyshuar për rrahjen në diskotekën “Stop”, në Gjilan.
Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive se si Hykolli bashkë me një person tjetër dyshohen se e keqtrajtuan një person në zhveshtoren e kësaj diskoteke.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se e gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas mesnatës së 22 korrikut, në diskotekën “Stop”, ku Hykolli bashkë me Shpresim Xheladinin, të dyshuarin tjetër për këtë rast, e sulmuan fizikisht viktimën L.B.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka nisur pasi Shpresim Xheladini e kishte thirrur viktimën dhe bashkë me të kishin hyrë në zhveshtoren për këngëtarë, aty ku i priste i dyshuari Rinor Hykolli.
Posa kanë hyrë në zhveshtore, Hykolli dhe Xheladini e kishin goditur viktimën në pjesën e kokës me armët që i mbanin. Pas këtyre goditjeve, viktima ishte rrëzuar përtokë, por të dyshuarit nuk ishin ndalur, njoftojnë tutje këto burime.
Ata dyshohet se kanë vazhduar të godasin viktimën me grushte e shqelma, derisa ishte në tokë. Për të shpëtuar nga ky sulm, viktima ia kishte marrë të dyshuarit Hykolli një sprej, që i kishte rënë nga xhepi dhe i kishte spërkatur me të. Kështu ai arriti të largohej nga vendi ku dyshohet se u keqtrajtua, por me lëndime të rënda.