39 të dënuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë kanë përfunduar programin “Menaxhimi i Zemërimit” dhe janë certifikuar për pjesëmarrjen e tyre në këtë program risocializues.
Programi, i realizuar nga zyrtarët për zbatimin e programeve risocializuese Suzana Gusturanaj dhe Labinot Myrtaj, kishte për qëllim t’u ndihmonte pjesëmarrësve në menaxhimin e emocioneve, kontrollimin e reagimeve dhe zhvillimin e sjelljeve më konstruktive në situata të ndryshme.
Gjatë programit, të dënuarit janë angazhuar në njohjen dhe menaxhimin e impulseve, kontrollimin e zemërimit, si dhe në përmirësimin e mënyrës së të menduarit dhe të sjelljes.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, qëllimi i këtyre aktiviteteve është që të dënuarit të zhvillojnë forma më konstruktive të komunikimit dhe reagimit ndaj të tjerëve, të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të krijojnë mundësi më të mira për risocializim dhe riintegrim në shoqëri, transmeton Klankosova.tv.
Në ceremoninë e certifikimit mori pjesë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Korrektuese në Dubravë, Arsim Sherifi, së bashku me zyrtarë të tjerë të institucionit.
Gjatë ceremonisë, drejtuesit e qendrës theksuan rëndësinë e programeve risocializuese për zhvillimin personal dhe social të të dënuarve.
“Programet risocializuese kanë rëndësi të veçantë për krijimin e një ambienti më të sigurt brenda institucionit dhe për përgatitjen e të dënuarve për kthimin në shoqëri”, u tha gjatë ceremonisë.
Sipas drejtuesve të institucionit, këto programe mund të ndikojnë edhe në uljen e incidenteve brenda qendrës dhe në parandalimin e përsëritjes së veprave penale.
Programet e risocializimit janë pjesë e procesit të përgatitjes së të dënuarve për riintegrim në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit, me synimin që kthimi i tyre në komunitet të jetë sa më i suksesshëm.