Menaxhmeti i Telekomit të Kosovës nuk ka sjellë dokumentacionet e nevojshme të cilat i ka kërkuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, raporton Ekonomia Online.
Kjo sipas kryesuesit të Komisionit, Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, drejtorit ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, i është arsyetuar komisionit se për të mbledhur dokumentacionet që janë kërkuar duhet kohë shtesë. Për pjesën tjetër, Ymeri thotë se është kërkuar që të trajtohet me kujdes pasi që janë çështje konfidenciale.
“Ne kemi dërguar një letër zyrtarisht te Telekomi për gjendjen në PTK dhe kemi marr përgjigje nga menaxhmenti Bedri Istrefi ku thuhet se për shkak të vëllimit të madh të dokumentacionit të kërkuar nuk ka qenë i mjaftueshëm afati kohor prej 3 ditësh dhe kanë kërkuar të japim afat shtesë për të sjellë këto dokumente dhe na kanë treguar që një pjesë e dokumentacionit kanë çështje të privatësisë dhe si të tilla duhet të trajtohen”, tha Ymeri, raporton Ekonomia Online.
Paralajmërimin e Istrefit për dokumentacionet që kanë të bëjnë me privatësi, Ymeri e sheh të panevojshme. Ai tha se Kuvendi i dinë ligjet për mbrojtjen e privatësisë.
“Është e papranueshme me një letër të tillë me na tregu për ligjin e mbrojtjes private duhet të zbatuar, nuk mund me na tregu neve kuvendin për mënyrën e zbatimit të ligjeve. Ne nuk kemi kurrfarë dokumentacioni zyrtarë dhe përgjigje shtesë që është dërguar 1 javë më parë Telekomit”, tha ai.
Ymeri tha se asnjë arsyetim nuk pranohet për të i ikur kësaj përgjegjësie.
“Kjo mënyrë e të komunikuarit ka dicka për të fshehur sepse asnjë dokumentacion që e kemi kërkuar nuk bie ndesh me ligjet”, shtoi ayneri
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, se duhet të i bëhet presion Telekomit për të marrë përgjigjet.
“Kjo neglizhencë e ka qëllimin e vet të stërgjatë së afatit dhe pengimit të punës së komisionit, kërkoj të i shkruani një letër urgjencë dhe të i tregoni pasojat juridike për ata që pengojnë punën e komisionit. Çdo pengim i hetimit parlamentar nënkupton përgjegjësi penale për ata që pengojnë mbarëvajtjen e komisionit”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se kjo është përgjegjshmëri e Telekomit për dokumentacionet që duhet të jenë publike dhe të qasshme për komisionin.
“Me qasjen që nuk ka sjell dokumentin e kërkuar, tregon papërgjegjshmërinë dhe tendencat për të penguar punën e komisionit hetimor. Ne nuk kemi kërkuar asgjë private, gjitha kontratat që i kemi kërkuar janë çështje publike të interesit publik dhe nuk ka asgjë konfidenciale”, shtoi Haxhiu.
Kryesuesi i Komisionit tha se menaxhmetit të Telekomit, do t’i dërgohet edhe një letër me kërkesën që dokumentacioni të dorëzohet deri të mërkurën apo të enjten e ardhshme, përndryshe do marrin hapat juridik.
Komisioni ka vazhduar shqyrtimin e emrave të eksperteve që do të angazhohen, pa prezencën e medieve.