Romancieri spanjoll Eduardo Mendoza ka marrë “Cervantes Prize” për vitin 2016, që është çmimi më i lartë letrar në hapësirën spanjisht folëse, me arsyetimin se ka sjellë “një stil të ri narrativ në fiksionin spanjoll”.
Ministri i Kulturës dhe i Edukimit i Spanjës, Inigo Mendez de Vigo, e ka dhënë lajmin për ndarjen e çmimit duke thënë se, duke nisur me romanin e vitit 1975, “La verdad sobre el caso Savolta” (E vërteta mbi rastin Savolta), Mendoza e ka rishpikur fiksionin spanjoll. Ai ka thënë se librat e Mendozas janë “plot me finesë dhe ironi”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e Washington Post.
Disa prej romaneve të Mendozas janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, përfshirë anglishten, dhe tre prej tyre janë shndërruar në film. Ai gjithashtu ka shkruar një dramë dhe dy përmbledhje me rrëfime të shkurtra. Një tjetër libër i popullarizuar i Mendozas ishte “La ciudad de los prodigios” (Qyteti i mrekullive), që flet për Barcelonën, vendin ku ai ishte lindur në vitin 1943. Romani flet për ndryshimet industriale, sociale dhe ekonomike të qytetit gjatë shekujve nëntëmbëdhjetë dhe njëzet.
Mendoza ka studiuar drejtësinë dhe njëherë kishte punuar si përkthyes në Kombet e Bashkuara në New York. Ai gjithashtu e ka bërë përkthimin e veprave të Shakespeares në gjuhën spanjolle. Çmimi “Cervantes Prize” që përfshin vlerën monetare prej 125 mijë eurosh, zakonisht kombinohet ndërmjet shkrimtarëve spanjollë dhe atyre latino-amerikanë.
Vitin e kaluar këtë çmim e kishte marrë shkrimtari meksikan Fernando del Paso. Fitues të mëparshëm të “Cervantes Prize” kanë qenë edhe Mario Vargas Llosa dhe Juan Marsé. Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet për çdo vit më 23 prill, në përvjetorin e vdekjes së Miguel de Cervantes, shkrimtarit të njohur spanjoll, autorit të “Don Kishotit”.