32% për ndihma sociale, e më pak se 1% për sektor privat dhe eksporte – kjo është përshtypja kryesore nga projekt-buxheti 2024 i Republikës së Kosovës. Edhe të dhënat e fundit nga nëntori na treguan që mbi 26,000 persona i janë shtuar listës së varfërisë në Kosova krahasuar me vitin 2021. Janë saktësisht këto politika që prodhojnë një rezultat të tillë. Kemi 16% të popullatë në varfëri apo rreth 283,835 persona (viti 2023). Nuk dilet nga varfëria me më shumë ndihma, por me më shumë investime në biznese.
Një shikim i shpejt tek projekt buxheti 2024 dhe e kupton cfarë vendi jemi dhe ku do arrijmë. Nga 3.3 miliardë euro që kemi, mbi 1 miliardë apo 32% janë të alokuara në ndihma dhe shërbime sociale. Gjithcka në rregull deri këtu.
Por kur e sheh që përshembull ministria përgjegjëse për zhvillim të sektorit privat dhe eksporteve (MINT) ka të ndara vetëm rreth 25 milion euro e (më pak se 1%) sheh se kah po shkon ky shtet dhe kjo ekonomi. Nuk ka një interes nga qeveria për ta rritur dhe fuqizuar sektorin privat, bizneset tona që e mbushin po këtë arkë.
Sikurse të ishte e kundërta, për shembull të kishim 1 miliard euro të alokuara për fuqizimin e bizneseve, rritjen e konkurrencshmërisë së ekonomisë dhe zëvendësimit të importit me produkte vendore, atëherë do ta quaja një projektim dhe një buxhet të mirë.
Kemi një buxhet të një familje apo shtëpie të varfër që nuk investon në ekonominë e saj por në ndihma, apo më mirë me thënë lëmosha, se as ndihmë nuk janë kredibile. Dmth në mundemi me dhanë shumë lëmosha të vogla dhe me u varfëru apo mundemi resurset tona me i nda dhe aloku për rritje të bizneseve; ne kemi zgjedhur të parën
Kjo në parim duket një çështje joserioze, por është thelbësore. E orienton të ardhmen tonë. Ne po vazhdojmë ta stimulojmë importin kronik negativ që qet jashtë -50% të bruto produktit vendor në vit.
Duke ndarë shumë ndihma e duke mos ndihmuar bizneset tona të fuqizohen, ne nuk po tentojmë të ndryshojmë strukturën e ekonomisë. Nuk po mundohemi të rrisim ekportet. Nuk po rrisim produktivitetin që të zvogëlojmë inflacionin astronomik.
Kjo strukturë, model e yrnek i buxhetit është i tashëguar me dekada tashmë. Çka ka ndodhur vitet e fundit, po rritet buxheti total, por po rriten ndihmat sociale e jo investimet ne programe që rrisin ekonominë dhe eksportin.